AGIMET E STINËS SË MADHE
Albert Minga (1981)
Ndërtimi i Shqipërisë pas luftës. Ish borgjezia, tregëtarët, organizojnë banda të armatosura sepse janë të pakënaqur nga sistemi i ri. Latif Bora, një ish komandat partizan, vihet padashur në shërbim të tyre.
ALO TEKNIKU
Niko Kanxheri (1982)
Televariete e realizuar me numra të zgjedhur nga Estrada profesioniste eTiranës.
AMIGO
Çerçiz Zykaj (1995)
Babai e trajton shumë keq djalin e tij. Djaloshi i vetmuar gjen ngushëllim te shoku i tij i ngushtë, qeni.
APASIONATA
Muco, K. Mitro (1983)
Motivi kryesor i sonatës së famshme “Apasionata” të Ludvik Van Bethoven, nga një punë diplome, bëhet lajtmotiv në dashurinë e Mirës, studente e pianos dhe Arturit, student i pikturës i cili nuk është vërtet i dhënë pas pikturës por e bën shkollën për t’i bërë qejfin të atit një njeri me rëndësi në një ministri. Më pas konfliktet zgjidhen dhe Arturi gjen vendin e vet në jetë.
ASGJË NUK HARROHET
Esat Ibro (1985)
Ngjarjet e filmit zhvillohen në ditët e sotme por sillen edhe ngjarje nga e kaluara për të hedhur dritë në fakte dhe karaktere të ndryshme. Një i riatdhesuar vritet në një qytet të vogël. Askush nuk e di kush është vrasësi. Krye hetuesi e merr përsipër këtë ngjarje dhe ia del të zbulojë shkaqet e krimit.
ATA ISHIN KATËR
Esat Mysliu, Kujtim Çashku (1977)
1944… Po afrohet liria. Në prag të Kongresit të Përmetit katër partizanë marrin detyrë të çojnë te partizanët një këngë. Partizanit Mete i duket kjo një detyrë e çuditëshme. Para se të arrijnë në destinacion, katër partizanët bien në përpjekje me gjermanët.
BABAI I STUDENTIT
Fatmir Koçi (1988)
Një fshatar niset për në kryeqytet për të vizituar të birin student. Ai e sheh të birin në shoqërinë e dy vajzave kryeqytetase të veshura sipas modës së fundit. I riu e anashkalon takimin me të atin. Kur më pas e takon të atin diçka është thyer midis tyre.
BALONAT
Ismail Zhabjaku (1979)
Lufta Antifashist zgjon edhe fëmijët. Me ndihmën e mësuesit të tyre ata mendojnë të shkruajnë në balona parrulla që t’i shohë i gjithë populli dhe fashistët të mos kenë mundësi t’i fshijnë. Fashistët arrijnë t’i zbulojnë dhe plagosin njërin prej fëmijëve por balonat me parrulla anitfashiste vazhdojnë të ngrihen lart.
BALADA E KURBINIT
Kujtim Çashku (1989)
Ushtarë që nisen në luftë si mercenarë dhe kthehen të vdekur. Vajza që presin e presin dhe më në fund martohen me të tjerë. Një vezir mundohet të marrë një grua të re të bukur dhe indiferente e cila gjendet midis burrit me të cilin u martua, e lodhur nga pritja e gjatë dhe burrit që më në fund u kthye.
BALLË PËR BALLË
Kujtim Çashku, Piro Milkani (1979)
Ekranizim i romanit të Isamil Kadaresë “Dimri i madh”. Besnik Bermema ishte përkthyes në konferencën e partive komuiste të mbajtur në Moskë në vitin 1961. Ai ishte dëshmitar i thyerjes më të madhe midis dy partive komuniste që i përkisnin respektivisht një kombi të madh dhe një kombi të vogël. Ngjarjet dramatike në konfliktin ushtarak ndodhin në një bazë detare në territorin Shqiptar, në Pashaliman, të cilën Sovjetikët nuk arrtitën ta përvetësonin
BARDHË E ZI
Gjergj Xhuvani (1990)
Një zyrtar i lartë partie dhe një mjek që punon në një fshat të thellë malor, marrin lajmin e vdekjes së mikut të tyre të fëmijërisë. Të dy, veç e veç, nisen për në varrim. Vështirësitë që ndeshin gjatë rrugës, kujtimet e secilit dhe takimi mes tyre, zbulojnë karakteret dhe transformimet që kanë ndodhur për shkak të psikologjisë së tyre, respektivisht ajo e një karrieristi dhe ajo e një njeriu që përpiqet të jetë më human.
BARDHËSI
Besim Kurti (1986)
Dimri i vështirë i 1985 frymëzoi kineastët të realizonin këtë film. Dy histori ndjekin linjat e filmit: ajo e një vajze malësore që ndjek një kurs për infermiere në Tiranë dhe ka ngecur atje për shkak të motit të egër, si dhe historinë e një grupi pilotësh që ndërmarrin një udhëtim të pazakontë në veri për një dërgesë të vështirë.
BENI ECEN VETË
Xhanfize Keko (1975)
Benin nuk e lejojnë të luajë jashtë mureve të shtëpisë. Xha Thomai që vjen nga fshati, e merr me vehte dhe për herë të parë Beni gjendet pa kujdesin e prindërve. Beni për herë të parë jeton në një familje fshatare, ku i duhet të mësojë shumë gjëra të reja. Një natë Beni mbetet i vetëm në mes të pyllit, por tashmë ai fillon të zbulojë një jetë shumë pranë natyrës.
BESA E KUQE
Piro Milkani (1982)
Trajton historinë e pesë Heronjve të Vigut të cilët u vranë në një betejë të ashpër gjatë Luftës Antifashise Nacional Çlirimtare.
BINARËT
Muharrem Fejzo (1987)
Asimi, një nga djemtë e një trenisti të vjetër, ka marrë rrugë të keqe: nuk i pëlqen puna dhe nuk është i lumtur me vendin modest që ka zënë në jetë. I vëllai, Kujtimi, është një punëtor i thjeshtë. Filmi arrin kulmin e tij në episodin e provës, ku del në pah shpirti heroik i Kujtimit nga njëra anë dhe pendesa dhe ndryshimi i sjelljes tek Asimi në anën tjetër.